Sot nis Turi Çiklistik 2026, ja akset që bllokohen në Tiranë nga ora 12:00
Etapa e parë e Turit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë zhvillohet këtë të hënë, ndërsa Policia ka njoftuar bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa akse të kryeqytetit dhe në itinerarin drejt Lezhës.
Nis sot Turi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë
Nga sot deri më 22 maj, rrugët e Shqipërisë do të mirëpresin edicionin e 83-të të Turit Çiklistik të Shqipërisë, një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive në vend.
Në këtë edicion marrin pjesë 20 skuadra elitare nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të tjera europiane, ndërsa organizatorët synojnë rritjen e standardeve dhe promovimin ndërkombëtar të këtij sporti. Etapa e parë zhvillohet këtë të hënë duke nisur nga ora 12:00. Çiklistët do të nisen nga Tirana dhe do ta përfundojnë garën në qytetin e Lezhës.
Rrugët që do të bllokohen
Sipas itinerarit zyrtar, lëvizja e sportistëve do të kalojë në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit dhe më pas drejt veriut të vendit.
Segmentet ku do të ketë bllokime të përkohshme të qarkullimit janë: Sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Zogu i Parë”, rruga “Dedë Gjo Luli”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Ibrahim Rugova”, bulevardi “Gjergj Fishta”, Unaza e Madhe, si dhe autostrada Tiranë–TEG–Thumanë–Milot–Rrëshen–Reps, me kthim drejt Milotit dhe finish në Lezhë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse gjatë orarit të garës dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Transmetim live dhe fokus te profesionalizimi
Organizatorët bëjnë të ditur se qëllimi i këtij edicioni është rritja e nivelit organizativ, pjesëmarrja më e gjerë ndërkombëtare dhe promovimi mediatik i çiklizmit shqiptar. Për herë të parë, Turi Çiklistik i Shqipërisë do të transmetohet live, në një përpjekje për të afruar më shumë publikun dhe brezat e rinj me këtë sport.